Secondary Adv

Auditorët e BE: Projektet e transportit në Shqipëri dhe Ballkan, të ngadalta dhe të pambikëqyrura

Një raport i Gjykatës Europiane të Auditorëve vlerëson se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk janë në rrugën e duhur për të përfunduar lidhjen me rrjetin kryesor europian të transportit deri në vitin 2030.

Shqipëria, së bashku me Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, përfiton nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), përmes së cilës Bashkimi Europian mbështet projektet strategjike në transport, energji dhe sektorë të tjerë. Nga viti 2015 deri në mesin e vitit 2025, Komisioni Europian ka financuar me 527 milionë euro projektet e transportit në rajon, duke qenë kontribuuesi kryesor i kësaj platforme.


Sipas raportit të Gjykatës Europiane të Auditorëve (ECA), investimet synojnë të zvogëlojnë hendekun infrastrukturor dhe të lidhin vendet e Ballkanit Perëndimor me rrjetin kryesor europian të transportit. Megjithatë, projektet po ecin me ritme shumë më të ngadalta nga sa kërkohet për përmbushjen e objektivave të kësaj dekade.


Auditorët evidentojnë se dobësitë në përzgjedhjen e projekteve dhe mungesa e gatishmërisë për zbatimin e tyre kanë sjellë vonesa të konsiderueshme. Projektet e audituara nisën mesatarisht 17 muaj më vonë nga afatet e planifikuara, ndërsa gjatë zbatimit shumë prej tyre regjistruan vonesa që kalonin dy vjet.


Sipas raportit, një projekt duhet të konsiderohet i gatshëm për zbatim vetëm pasi të jetë përfunduar dokumentacioni teknik, të jenë zgjidhur aspektet financiare dhe administrative dhe të jetë mbyllur faza përgatitore. Në shumë raste, financimi është miratuar përpara se projektet të arrinin këtë nivel përgatitjeje.


“Sa i përket zgjerimit të BE-së, infrastruktura e zhvilluar mirë është një hap drejt përmbushjes së kritereve të pranimit. Projektet e transportit të Ballkanit Perëndimor po përparojnë shumë ngadalë për ta lidhur rajonin me BE-në gjatë kësaj dekade”, deklaroi Laima Andrikienė, anëtare e Gjykatës Europiane të Auditorëve përgjegjëse për raportin.


Raporti rekomandon që Komisioni Europian të përmirësojë përzgjedhjen dhe monitorimin e projekteve, të garantojë qëndrueshmërinë e investimeve dhe të rrisë dukshmërinë e financimeve të Bashkimit Europian në rajon.


Auditorët konstatojnë gjithashtu se Komisioni Europian ka pasur mundësi të kufizuara për të imponuar zbatimin në kohë të projekteve. Sipas tyre, mungojnë procedura efektive për monitorimin e vonesave dhe nuk është mbledhur informacion i plotë mbi nivelin e përfundimit të korridoreve të transportit apo përputhjen e tyre me standardet europiane.


Në raport theksohet se Komisioni është mbështetur kryesisht te institucionet financiare ndërkombëtare për mbikëqyrjen e projekteve, por në disa raste kontrolli ka rezultuar i pamjaftueshëm, duke sjellë edhe pagesa që nuk justifikoheshin plotësisht nga progresi real i punimeve.


Gjykata Europiane e Auditorëve vëren gjithashtu se disa grante të WBIF-së nuk kanë qenë vendimtare për realizimin e investimeve. Në raste të caktuara, marrëveshjet e huasë ishin nënshkruar përpara aplikimit për grant, çka tregon se projektet do të kishin vijuar edhe pa mbështetjen financiare të Bashkimit Europian.


Për Shqipërinë, raporti ka një rëndësi të veçantë, pasi zhvillimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore është pjesë e procesit të integrimit europian dhe një faktor kyç për rritjen e tregtisë, lëvizjes së qytetarëve dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë. Megjithatë, sipas auditorëve europianë, ritmi aktual i investimeve tregon se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor rrezikojnë të mos përmbushin deri në vitin 2030 standardet e kërkuara për rrjetin kryesor europian të transportit.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat